Holandë, parandalohet sulmi terrorist. Arrestohet 30-vjeçari në Rotterdam

09/12/2016 00:00

Në Holandë është parandaluar një sulm terrorist. Policia arrestoi një 30-vjeçar në Rotterdam, nën dyshimin se po planifikonte një sulm, siç bëri të ditur Ministria e Brendshme të premten.

Burri u ndalua dy ditë më parë, gjatë bastisjes së apartamentit ku jetonte në qytetin port. Efektivët gjetën atje një kallashnikov, e gjithashtu fishekzjarre të paligjshme me fuqi të madhe shpërthyese.

Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu një pikturë e madhe, me imazhin e flamurit që përdoret nga ISIS, telefonë celularë dhe 1.600 euro “cash”.

Ministria e Brendshme njoftoi në një deklaratë se, 30-vjeçari dyshohej për përgatitjen e një krimi me natyrë terroriste.

“Holanda falënderon Rutte”, reagoi në “Twitter” udhëheqësi i së djathtës ekstreme, Geert Wilders. Ai iu referua kryeministrit Mark Rutte, i cili më herët deklaroi se, as ai dhe as qeveria e tij nuk do të krijonin një koalicion me të djathtën ekstreme, nëse Wilders nuk do të tërhiqte komentet diskriminuese të bëra për marokenët.

Udhëheqësi i partisë antiislamike holandeze u shpall fajtor të premten, nga një gjykatë holandeze për nxitje të diskriminimit dhe fyerje ndaj marokenëve.

Top Channel