SHBA, Trump pritet të emërojë Cohn në një post të lartë ekonomik

09/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump pritet të emërojë presidentin e “Goldman Sachs”, Gary Cohn, në një prej pozicioneve më të larta të fushës së ekonomisë, me shumë mundësi si drejtorin e Këshillit Kombëtar Ekonomik (NEC).

Cohn, numri dy ekzekutiv i “Goldman”-it, është takuar me Trumpin të paktën 3 herë, përfshi edhe gjatë së enjtes, thonë burime me njohuri mbi këto zhvillime.

Ai ka qenë pretendent për disa funksione të rëndësishme, përfshi këtu edhe postin e drejtorit të buxhetit, në administratën “Trump”. Megjithatë, bisedimet janë fokusuar së fundi në postin e sipërpërmendur, që ndihmon drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë në lidhje me politikat ekonomike.

Cohn shihet si një figurë me eksperiencë, që do të shfrytëzojë si lidhjet me Uashingtonin, ashtu edhe njohuritë mbi tregjet ndërkombëtare. Si ish-tregtar, Cohn është gjithashtu tejet i ndërlidhur me komunitetin e teknologjisë, falë lidhjeve bankare me “Uber”, “Tesla” dhe kompani të tjera.

Përzgjedhja e tij do të bënte që të shtohej një tjetër bankier i “Goldman”-it në ekipin e Trumpit, aty ku është përfshirë edhe Steve Mnuchin, i cili ka pasur një eksperiencë 17-vjeçare në këtë bankë, në postin e Sekretarit të Thesarit. Megjithatë, edhe ndihmësi i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, si dhe zyrtari i lartë i tranzicionit, Anthony Scaramucci, kanë pasur eksperienca të ngjashme në “Goldman Sachs”.

Banka në fjalë refuzoi të komentonte në lidhje me detyrën e re të mundshme të Cohn, kur u pyet në lidhje me ekipin tranzitor të Trumpit.

Top Channel