Gjuhën e ashpër që i ka karakterizuar për muaj me radhë, udhëheqësit e partive politike në Maqedoni nuk e braktisën as në fund të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Edhe pse votimi konsiderohet si thelbësor për aspiratat e vendit për integrimin në BE dhe në NATO, ata u fokusuan te sulmet ndaj rivalëve e jo te hartimi i një programi të përshtatshëm politik.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme u vendos në korrik të 2015-s, pas bisedimeve mes kryeministrit të atëhershëm, Nikola Gruevski, dhe kreut të opozites socialdemokrate, Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e BE-së.

Qëllimi ishte t’i jepej fund bojkotit të opozitës nga institucionet publike, diçka që çoi drejt përshkallëzimit të situatës drejt një krize të rrezikshme politike.

Nacionalisti Nikola Gruevski, i cili dha dorëheqjen në muajin janar, ashtu siç parashikonte marrëveshja, kërkon të rimarrë postin që ka mbajtur prej 2006-s, me një tjetër fitore të partisë së tij, VMRO-DPMNE.

Zaev, me partinë e tij LSDM, akuzon Gruevskin për korrupsion dhe abuzim në pushtet, përfshirë urdhërimin e policisë për përgjimin e paligjshëm të mijëra maqedonasve, kontrollimin e sistemit gjyqësor dhe manipulimin e zgjedhjeve.

“Drejtësia duhet të vihet në vend. Kriminelët që drejtuan vendin për 10 vite duhet të japin llogari përpara gjykatave të pavarura. Jo vetëm që do të mbajnë përgjegjësi, por duhet t’i rikthejnë popullit të gjitha paratë e vjedhura”, tha Zoran Zaev.

Nga ana e tij, Gruevski akuzoi Zaevin për tradhti, pasi – siç thotë, – është bërë palë me forcat e huaja për të minuar interesat kombëtare. Ai nuk akuzoi ndonjë vend në veçanti, por u kuptua referenca ndaj Athinës, me të cilën Shkupi ka mosmarrëveshje lidhur me emrin e Maqedonisë.

“Askush nuk e pëlqen një njeri që gënjen kaq shumë, i cili luan kumar me interesat e vendit të tij, që bashkohet me struktura kriminale, e që nuk i interesojnë aspak kërkesat e qytetarëve. Maqedonia nuk do më të diktohet nga jashtë”, tha Nikola Gruevski.

Fillimisht zgjedhjet u planifikuan për në muajin prill, por u shtynë dy herë mes ankesave të opozitës se VMRO-ja ka modifikuar rregullat për të siguruar një tjetër triumf, që do të ishte i pesti që prej ardhjes në pushtet të Gruevskit në 2006-n. Sondazhet i japin përparësi VMRO-së, por gjithsesi nuk përjashtojnë mundësinë e rezultateve të ngushta.

Top Channel