Rusi, Putin investon 30 mln dollarë në sportin e preferuar të së bijës

09/12/2016 00:00

Rusia është duke ndërtuar një kompleks gjigant prej 30 milionë dollarësh për “Rock’n’Roll”-in akrobatik, një sport i sallave të mbyllura e të ngrohta, në të cilin vajza e presidentit Vladimir Putin shkëlqen si kërcimtare, ndërsa ka edhe një rol të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Qendra “Zhavoronki” e këtij sporti do të ndërtohet në periferinë perëndimore të Moskës, me një kosto prej 1.9 miliardë rublash, sipas dokumenteve të një tenderi shtetëror të disponueshëm edhe “online”, por të rishikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, që do të financohet tërësisht nga qeveria lokale.

Ajo do të jetë hapësira e vetme në botë e specializuar për këtë lloj sporti, sipas trupës qeverisëse të Konfederatës Botërore të Rock’n’Rollit (WRRC). Paratë e shpenzuara këtu duket se po lënë pas krahëve sporte të tjera më të mëdha në Rusi, siç është harku apo biatloni (ski kombinuar me gjuajtje me pushkë).

Kompleksi ndërtohet nën juridiksionin e shkollës së kërcimit dhe sporteve shtetërore “Khamovniki” të Moskës, aty ku Katerina Tikhonova, e identifikuar nga “Reuters” vitin e kaluar si vajza më e vogël e Putinit, është stërvitur në Rock’n’Rollin akrobatik, e nën emrin e së cilës ka garuar disa herë deri në vitin 2014.

30-vjeçarja është një kërcimtare e klasit të lartë në këtë sport si dhe zëvendëspresidente në “WRRC”, por mban edhe një post të lartë në Federatën kombëtare të Sporteve, duke kryesuar Komitetin ndërkombëtar të saj dhe Komitetin për zhvillimin rajonal. Ish-trajnerja e saj e kërcimit është tashmë në krye të shkollës “Khamovniki”.

“Reuters”, gjithsesi, thekson se nuk ka prova nëse Kremlini apo Tikhonova kanë pasur ndonjë ndikim mbi vendimin e qeverisë lokale të Moskës për të ndërtuar këtë kompleks. Vet vajza e Putinit nuk është përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për koment në lidhje me rolin e saj në këtë projekt apo në këto shpenzime, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “kjo çështje nuk ka aspak lidhje me ne”.

Top Channel