Bushi dhe Bogdani marrin në duar ekipet e moshave

09/12/2016 00:00

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është bërë prezantimi i trajnerëve të Shpresave dhe të kombëtares së 19-vjeçarëve, Alban Bushi dhe Erjon Bogdani.

Të shoqëruar nga drejtori teknik, Paolo Tramezzani, të dy trajnerët deklaruan se do të bëjnë maksimumin në drejtimin e këtyre dy skuadrave për të arritur rezultate sa më të larta si dhe për të nxjerrë sa më shumë elementë të rinj që do t’i shërbejnë Kombëtares A.

“Për mua është një emocion i veçantë dhe nder njëkohësisht që të drejtoj një nga ekipet kombëtare të Shqipërisë. E vlerësoj shumë dhe i falenderoj ata që ma bënë të mundur këtë rol. Do të mundohem të bëjë më të mirën së bashku me stafin tim për të dhënë maksimumin dhe për të pasur një ekip sa më dinjitoz për kualifikueset që do të kemi vitin e ardhshëm”, u shpreh Alban Bushi, trajneri i ri i Shpresave.

“Për mua sot është një ditë e rëndësishme. Të jesh trajner i një ekipi kombëtar është një përgjegjësi dhe unë ju siguroj që do të punojë siç kam punuar dhe dua të krijoj një kombëtare të denjë për këtë vend. Unë kam si objektiv t’i rris futbollistët e U19-ës që të jenë të denjë për ekipin Shpresa dhe atë të Kombëtares A”, tha Bogdani, trajner i ekipit kombëtar të 19-vjeçarëve.

Top Channel