Filipine, policia vazhdon vrasjen e “të droguarve”

09/12/2016 00:00

I biri i buzëqesh Grace Fonolleras nga fotoja e vendosur pranë arkëmortit të tij. 18-vjeçari filipinas, Ace Bacorro u vra më 6 dhjetor, së bashku me mikun e tij të fëmijërisë, Rondolph Droyon. Persona të paidentifikuar hapën zjarr mbi dy të rinjtë që kishin dalë të pinin diçka.

Fonollera thotë se, përpara disa muajsh, Ace i ishte dorëzuar vullnetarisht policisë gjatë fushatës së regjistrimit të të përfshirëve në trafikun e drogës. Ajo këmbëngul se plumbat që i morën jetën të birit, në fakt ishin të destinuara për mikun e tij dhe zemërohet kur dëgjon ta etiketojnë fëmijën e saj si trafikant.

“Jemi të varfër, neve s’na dëgjon askush. Është për të ardhur keq që të varfrit vriten pa hesap në këtë vend, sepse sado që të përpiqemi të shpjegojmë, fjalët tona bien në vesh të shurdhër. Na gjykojnë për vobektësinë tonë dhe rasti për ne menjëherë mbyllet, ose hiqet dorë nga hetimi”, tha Grace Fonollera, nëna e Ace Bacorro.

E ëma e Rondolphit, nga ana tjetër, pretendon se djali i saj kishte qenë përdorues i marijuanës, por më vonë kishte ndryshuar tërësisht si njeri.

“E di që përdorimi i drogës është i gabuar dhe fëmijëve nuk i bën aspak mirë, por atyre u duhet dhënë mundësia që të ndryshojnë, u duhet ofruar një punë, u duhen krijuar mundësitë që të studiojnë. Më dhimbset im bir, ishte vetëm 19 vjeç”, tha Naida Droyon, nëna e Rondolphit.

Përpara ditës së të drejtave të njeriut, të afërmit e të vrarëve në luftën e presidentit filipinas, Rodrigo Duterte, kundër drogës kërkojnë drejtësi. Aktivistët i kanë kërkuar kreut të shtetit ta zgjidhë situatën e rëndë të krijuar në vend, por në këmbim kanë marrë sharje e kërcënime.

Top Channel