Gruaja e fortë e Polonisë; Kush është kryeministrja që po shqetëson BE-në

09/12/2016 00:00

“Emri është Szydlo, Beata Szydlo”, 52 vjecarja, bijë minatori që drejton sot qeverinë polake e kishte shprehjen e vet të preferuar përpara se të fitonte zgjedhjet në 2015-tën. Huazimi i fjalisë së famshme të James Bond duket i vjen për shtat.

Szydlo, një veterane e politikës vendase u zgjodh si kandidate e partisë së saj pas një performance mbresëlënëse si menaxhere fushate e Andrzej Duda-s që rrëmbeu fitoren në presidencialet e majit të atij viti.

Ajo luftoi shumë për të rrëzuar imazhin e kukullës në duart e presidentit dhe themeluesit të Partisë Ligj dhe Drejtësisë, Jaroslaw Kaczynski, edhe pse e vërteta është se një pjesë të mirë të suksesit ia detyron pikërisht këtij personaliteti dominues të skenës politike të vendit.

Ashtu si mentori i saj politik, edhe Szydlo i meshon fort rëndësisë së vlerave të familjes tradicionale romano-katolike dhe nevojës për të ndihmuar ata që ndiejnë se nuk kanë përfituar nga rritja e fuqishme ekonomike e dy dekadave të fundit. Toni i saj është sidoqoftë më i zbutur sesa ai i liderit luftarak të partisë se vet.

Szydlo dhe Jaroslaw Kaczynski, kanë premtuar ta ndryshojnë vendin. Me ardhjen e saj në pushtet, u vendosën taksa të reja për bankat e marketet në pronesisë të të huajve; pati ndryshim menaxhimi për kompanitë shtetërore; u diskutua një ligj për mbrojtjen e reputacionit të Polonisë, i cili shënjestron të huajt që tregojnë dashakeqësi ndaj vendit e po kështu, qe temë debatesh edhe ndëshkimi me tre vjet burg i vendosjes se mbiemrit “polak” në togfjalëshin kamp përqendrimi.

Polonia përfituesja më e madhe e subvencioneve të BE-së, ka nisur sakaq t’i japë dhimbje koke bllokut me ndjenjën e një linje që i ngjason kursit autoritar të hungarezit Viktor Orban. Ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese, ka minuar shërbimin e pavarur civil dhe median publike e ka vendosur nën kontrollin qeveritar.
Komisioni Europian u shqetësua aq sa të niste një “hetim” mbi funksionimin e sundimit të ligjit në vend, një hap i paprecendentë ky në historinë e BE-së.

Përgjigja e Kazinskit erdhi në tetor kur tha se vendi i tij nuk do ta mbështesë një kandidaturë të dytë të Donald Tusk në krye të Këshillit Europian. Ish-presidenti i Polonise Les Kazinski vdiq në 2010-tën në Rusi nga aksidenti ajror që shoi një pjesë të elitës politike të vendit dhe Jarosllav, vëllai i tij binjak, fajëson Tuskun asokohe kryeministër, për neglizhencë të sigurisë së Kreut të Shtetit.

Top Channel