Lajmet e rreme, Clinton: Epidemi me pasoja reale

09/12/2016 00:00

Hillary Clinton, kandidatja demokrate që humbi garën presidenciale, bëri thirrje për veprime urgjente për të ndaluar përhapjen e lajmeve të rreme.

Sipas Clinton, ky fenomen negativ është një epidemi me pasoja në botën reale që kërcënon demokracinë amerikane. Ajo nxiti sektorin privat dhe publik që të luftojnë kundër raporteve të rreme, propagandës dhe historive keqdashëse që janë përhapur gjatë vitit të fundit.

Vetë Clinton ka qenë objektiv i lajmeve të rreme, përfshirë atë që njihet me nofkën “Pizzagate”. Sipas këtij lajmi të rremë, gjatë fushatës elektorale, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike drejtonin një rrjet pedofilie nga një piceri në Uashington.

Të dielën e shkuar, një person u arrestua pasi hapi zjarr në këtë restorant, ku kishte shkuar për të hetuar vetë këto lajme. Clinton tha se është e qartë që këto lajme të rreme kanë pasoja reale dhe se rrezikojnë jetë njerëzish.

Ajo foli gjatë një ceremonie për liderin në largim të senatit Herri Reid, ndërsa bëri shaka duke thënë se nuk ishte ky fjalimi që shpresonte të mbante në Kongres pas zgjedhjeve.

Top Channel