Zbulohet bishti i një dinozauri

09/12/2016 00:00

Bishti i një dinozauri 99 milionvjeçar u gjet i izoluar në një qelibar, një zbulim i pashembullt që ka mahnitur shkencëtarët. Xing Lida, një paleontolog kinez e gjeti copën e qelibarit që ka përmasat e një pjeshke, në një treg në veri të Mianmarit, pranë kufirit me Kinën.

Copa e qelibarit do të përfundonte si suvenir apo bizhuteri dhe do të zhdukej përgjithnjë po të mos ishte gjetur rastësisht.

Zbulimi i mahnitshëm që tregon puplat e bishtit të një coelurosaur-i hedh dritë të re mbi pamjen e dinozaurëve. Kjo ështe hera e parë që gjenden pjesë të një skeleti të mumifikuar dinozuari në qelibar. Ky i fundit është rrëshirë nga pemët prehistorike që me kalimin e viteve është ngurtësuar.

Shkencëtarët thanë se brenda copës unike janë izoluar fragmente kockash dhe pupla dhe kjo shton provat se shumë dinozaurë kishin pupla primitive dhe jo luspa.

Qelibari gjithashtu ka ruajtur pigmentin e puplave duke lejuar që shkencëtarët të përcaktojnë me mjaft siguri ngjyrën e kafshës primitive, diçka që me fosile të tjera të gjetura më herët ka qenë e pamundur të bëhej.

Gjithsesi, shkencëtarët thanë se pavarësisht zbulimit të rëndësishëm, njerëzit nuk duhet të presin një zhvillim si tek filmi Jurassic Park, ku u klonuan dinozuar nga ADN-ja e nxjerrë nga qelibari. Sipas tyre, kjo është thjeshtë fantashkencë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel