UEFA nuk përjashton një tjetër dënim për Skënderbeun

09/12/2016 00:00

UEFA mund ta dënojë sërish Skënderbeun.

Në një letër të saj, qeveria e futbollit evropian ka theksuar se nëse rrethanat do ta justifikojnë, atëherë dënimi për Skënderbeun do të ndodhë duke u bazuar edhe në Rregullat Disiplinore të UEFA-s.

Kjo përgjigje e UEFA-s erdhi pas deklaratës së presidentit të Skënderbeut, Takaj, i cili theksoi se nuk ishte në dijeni në lidhje me një dënim të dytë ndaj klubit të cilin ai drejton dhe se çështja është e mbyllur përfundimisht pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

Dy ditë më parë, Emilio Garsia, në Konferencën e Integritetit të Sporteve në Gjenevë të Zvicrës, deklaroi se UEFA ka marrë në konsideratë dënimin disiplinor të Skënderbeut. Ndryshimi i hetimit të çështjes nga administrative në disiplinore sjell edhe  një përshkallëzim serioz të masës së ndëshkimit.

Në korrik, Skënderbeu u pezullua nga Liga e Kampioneve për sezonin 2016/2017 nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, bazuar në disa dyshime të forta për përfshirje të skuadrës korçare në fiksime rezultatesh. Sipas Garsias, skuadra shqiptare është e dyshuar për dy ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe dy ndeshjeve të fazës së grupeve të Europa League gjatë vitit 2015.

Në raportin e UEFA-s theksohej gjithashtu se Skënderbeu konsiderohet si i përfshirë edhe në 50 ndeshje të ndryshme të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, duke filluar nga viti 2011.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel