Kthimi i europianëve të ISIS-it

09/12/2016 09:10

Gati gjysma e europianëve të larguar nga Kontinenti i Vjetër për të luftuar në krah të ISIS-it në Siri e Irak,  janë vrarë ose janë kthyer mbrapsht.

Dokumenti prej 19 faqesh i shefit të antiterrorit në BE, Gilles de Kerchove, i cili përbën dhe temën e diskutimeve të fundit të ministrave të Brendshëm të bllokut, tregon se vetëm 50% e 5000 shtetasve europianë vazhdojnë të mbeten në radhët e militantëve. Gati 20% e tyre kanë vdekur e 35% të tjerët llogaritet të jenë kthyer tashmë në Europë. Të kthyerit mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë e vendeve europiane, thuhet në raport, ndonëse motivimi i valës së parë të këtyre individëve për të udhëtuar drejt Sirisë, më shumë sesa bashkimi me ISIS-in, mund të ketë qenë mbrojtja e myslimanëve.

Fushata ushtarake irakiane e nisur në muajin tetor me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga toka dhe nga ajri, ka bërë që territoret e kontrolluara prej Shtetit Islamik të reduktohen në mënyrë dramatike. Edhe pse është shtuar frika se shtetasit europianë mund t’i largohen mësymjes e të ndërmarrin sulme në Europë, raporti thotë se një kthim masiv i tyre konsiderohet i “pagjasë”, pasi ekstremistët ka më shumë mundësi të qëndrojnë e të krijojnë xhepa rezistence.

Luftëtarët e huaj do të vazhdojnë të vdesin në Siri e Irak, sidomos në betejat e Rakës dhe Mosulit, theksohet në dokument. Aty pohohet po kështu se disa prej këtyre luftëtarëve dhe familjarëve që kanë marrë me vete duan shumë që të kthehen, por nuk e bëjnë dot këtë sepse Shteti Islamik do t’i konsiderojë “tradhtarë”. Ajo që vendet e bllokut po diskutojnë tani është çfarë mund të bëhet me personat si gra e fëmijë, që mund të jenë tërhequr me zor për t`iu bashkuar ekstremistëve.

Top Channel