Tragjedia e Chapecoense, mbrojtësi Alan Ruschel ngrihet në këmbë

08/12/2016 00:00

Një video prekëse nga spitali i Medellin ka nisur të bëjë xhiron e botës në pak orë, dhe ku shfaqet mbrojtësi Alan Rushel, një prej të mbijetuarve nga tragjedia e tmerrshme e skuadrës së futbollit brazilian Caapekoense.

Një prej 6 personave që i shpëtuan kthetrave të vdekjes nga aksidenti ajror në 28 Nëntor, ka nisur të ecë dhe ka dhënë një mesazh për të gjithë tifozët dhe njerëzit që e mbështetën pas ngjarjes fatkeqe.

Mbrojtësi 27-vjeçar pësoi fraktura të shumëfishta nga tragjedia që thuajse shfaqori ekipin e futbollit, por është rikthyer në këmbë, imazhe që kanë përlotur shumë tifozë.

“Po rikuperohem shumë shpejt dhe pas pak ditësh do të rikthehem në Brazil ku do të përfundoj fazën e rehabilitimit. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për forcën që më keni transmetuar dhe për afeksionin që kam marrë” tha mbrojtësi i Chapecoense.

Skuadra e cila ka nisur të mendojë hapat për mbijetesën sportive pas tragjedisë, ka marrë së fundmi edhe një ndihmë nga Barcelona.

Skuadra katalanase e ka ftuar zyrtarisht Chapecoense për trofeun Gamper vitin tjetër. në këtë mënyrë ekipi blaugrana do t’i bëjë homazhe 71 viktimave të aksidentit ajror në Kolumbi, dhe në të njëjtën kohë, të kontribuojë financiarisht në rinisjen e klubit të shkatërruar.

Top Channel