Rikthimi i refugjatëve, “Dublini” nis në mars 2017 për Greqinë

08/12/2016 00:00

KE ka vendosur që nga 15 marsi i 2017-s të fillojë të zbatohet marrëveshja e Dublinit për emigrantët dhe refugjatët në BE. Sipas saj, çdo emigrant që kapet në një shtet europian pa dokumente, i cili ka hyrë nga Greqia, do të rikthehet përsëri në Greqi.

“Komisioni rekomandon që shtetet anëtare të fillojnë përsëri të zbatojnë transferimet sipas Dublinit, që nga mesi i marsit të 2017-s. Transferimet nuk duhet të aplikohen në mënyrë retroaktive, që do të thotë se vetëm ata që hyjnë në Greqi pas 15 marsit, e më pas udhëtojnë në mënyrë të parregullt në vendet e tjera, do të kthehen përsëri në Greqi”, tha Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Emigracionin.

Marrëveshja e Dublinit, që thekson se vendi i parë i hyrjes së një refugjati është përgjegjës për trajtimin e kërkesës për azil, është ndërprerë vitin e kaluar, kur nga Greqia kanë hyrë më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë dhe Athina, në pamundësi për të përballuar këtë valë, i ka lejuar ata të shkojnë në vendet e tjera të BE-së në kundërshtim me rregullat e bllokut.

Pasi disa prej vendeve europiane mbyllën kufijtë, rreth 62.000 vetë kanë mbetur të bllokuar në Greqi. Tashmë sipas Komisionit Europian, Greqia ka shënuar progres në funksionimin e sistemit të azilit dhe pritja e regjistrimi i refugjatëve kryhet sot në masën 100%.

Ndërkohë, shtete anëtare të BE-së ende nuk kanë rënë dakord për shpërndarjen e detyrueshme të refugjatëve.

“Më lejoni të përsëris edhe njëherë se, asnjë shtet anëtar nuk duhet të mbajë mbi supe i vetëm përgjegjësi të tilla. As Greqia, as Italia dhe as ndonjë vend tjetër në të ardhmen nuk duhet të jenë të vetme përballë kësaj barre”, tha Avramopoulos.

Komisioni ka theksuar gjithashtu se, duke ushtruar presion mbi vendet anëtare, do të rritet numri i transferimeve nga Greqia në 2000 vetë gjatë marsit, dhe në 3.000 vetë në muaj pas prillit të 2017-s.

Top Channel