Qeveria britanike, “shuplakë” Johnsonit: Komentet e tij, jo pikëpamja jonë

08/12/2016 00:00

Deklaratat e Sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, në lidhje me Arabinë Saudite nuk përfaqësojnë “pozicionin e mbajtur nga qeveria”. Ky është reagimi i “Downing Street” pas komenteve të kryediplomatit britanik të publikuara nga “the Guardian”, të bëra në fakt gjatë një shfaqjeje të javës së kaluar.

Johnson është mësuar të ketë thënë se aleati i britanikëve, Arabia Saudite po përfshihej në luftrat e Lindjes së Mesme. Zëdhënësja e kryeministres May tha se, këto ishin pikëpamje personale të Sekretarit të Jashtëm, duke i dhënë kështu një goditje të fuqishme atij.

Gjatë konferencës së bërë në Romë javën e kaluar, Johnson ishte shprehur se “ka politikanë që po bëjnë dredhira dhe po abuzojnë me fenë dhe me nëndarjet e së njëjtës fe, në mënyrë që të përmbushin më tej objektivat e tyre politike”.

“Ky është një prej problemeve politike më të mëdha në të gjithë rajonin. Dhe tragjedia për mua është se edhe në vet këto vende nuk ka një udhëheqësi politike mjaftueshëm të fuqishme. Ndaj dhe vijojnë kaq gjatë të tilla luftra në këtë rajon”.

Johnson shtoi më tej gjatë konferencës “Med 2” se “nuk ekzistojnë ende figura të mëdha, njerëz me autoritet, burra apo gra, të cilët të kërkojnë të shkojë përtej të qenit sunit apo shiit, apo çfarëdolloj grupi, e për t’i bashkuar njerëzit për të zhvilluar më tej kombet. Kjo mungon dhe kjo është tragjedi”.

Sipas tij, në rajon nevojitet një “udhëheqës vizionar”, në mungesë të të cilit, sauditët apo Irani dhe kushdo tjetër përfshihen në lojëra të pista me fenë.

Sipas korrespondentit diplomatik të BBC-së, James Landale, Johnson ka thënë diçka “disi të vërtetë”, por kjo gjë është “qartësisht e papranueshme” për qeverinë, ndaj dhe ka ardhur “shuplaka” e saj. Sipas tij, janë të shumtë njerëzit që do të binin dakord me analizën se shumë prej konflikteve në Lindjen e Mesme janë “luftra fetare” mes sunitëve dhe shiitëve, shpeshherë me përfshirjen e Iranit dhe Arabisë Saudite, të cilat vihen në kahe të kundërta, siç ndodh në Siri dhe Jemen. Megjithatë, ai nuk përbën qëndrimin zyrtar të qeverisë, shton korrespondenti.

Top Channel