Kosovë, Qeveria ndalon punimet për murin tek ura e Ibrit

08/12/2016 00:00

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës ka marrë një vendim këtë të enjte për të ndaluar kryerjen e punimeve të murit që po ndërtohet në afërsi të urës së Ibrit, në veri të Mitrovicës.

Në mur është vendosur sot njoftimi nga kjo ministri, që ndalon punën e ndërtimit. Lartësia rreth dy metra e murit, që është ngritur në ditët e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, ka provokuar reagime nga zyrtarët në Prishtinë.

Ky mur, sipas institucioneve të Kosovës është jashtë marrëveshjes për rivitalizimin e urës dhe është i jashtëligjshëm.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa deklaroi se çështja e murit serb në veri të Mitrovicës do të zgjidhej në rrugë ligjore.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një vizite që iu bëri punimeve mbi urën kryesore të Ibrit, e ka quajtur ndërtimin e murit ilegal, dhe tha se ky mur nuk është parashikuar në marrëveshjen e Brukselit. Ai ka mohuar se muri i ndërtuar do të ndajë qytetin, duke përsëritur se Mitrovica do të bashkohet. Ai premtoi se muri do të largohet, pa saktësuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Absolutisht që është ilegal. Urdhëresa për ndalimin e punimeve është dhënë. Tani do të shohim”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkohë, për këtë ngjarje kanë reaguar edhe qytetarë shqiptarë e serbë, që e shohin ndërtimin e murit si të pakuptimtë dhe të panevojshëm. Sipas tyre, ka kaluar koha e kufijve dhe barrierave për qytetarët.

Dushko Kociç, qytetar nga veriu i Mitrovicës, u shpreh se nuk e ka të qartë ende domethënien e këtij muri, pasi nuk e ka parë projektin. Sipas tij, shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku, pavarësisht të kaluarës. Edhe Xhylazim Peci, banor i veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur se muri i ndërtuar është pengesë e madhe, në radhë të parë për serbët, por edhe për të gjithë qytetarët.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel