Reali i Zidane, drejt një rekordi të ri pamposhtmërie

08/12/2016 00:00

Zinedine Zidane është vetëm 90 minuta larg udhëheqjes së Realit të Madridit drejt një rekordi të ri pamposhtmërie. Kur francezi zëvendësoi Rafael Benitezin në mesin e sezonit të kaluar, ish-mesfushori i paeksperiencë në drejtim pati një fillim të shkëlqyer me një fitore 5-0 ndaj Deportivo La Coruna.

Plot 11 muaj më vonë dhe me një titull më shumë Championsi, Reali do të përballet sërish me Deportivon në “Bernabeu” të shtunën, me mundësinë për të tejkaluar rekordin në fuqi të ndeshjeve pa humbur, që prej themelimit të klubit në vitin 1902.

Të mërkurën, Reali barazoi rekordin prej 34 ndeshjesh pa humbje, të vendosur në vitin 1989 nën drejtimin e trajnerit Leo Beenhakker, kur barazoi 2-2 me Borussia Dortmundin në ndeshjen e fundit në grupet e Championsit.

Pas asaj ndeshjeje, Zidane u shpreh se “ishte e rëndësishme të vazhdojmë të shkruajmë historinë dhe të vijojmë pse jo me ecurinë tonë të shkëlqyer”.

“Nuk mendoj se është më e rëndësishme për mua që të lë gjurmë këtu. Ajo që më intereson më shumë është të vazhdoj me këtë ecuri pozitive, në të cilën gjendemi aktualisht”, tha trajneri francez.

Sezonin e kaluar, kur presidenti i Realit, Florentino Perez zgjodhi Zidanen për të drejtuar një ekip që kishte shumë probleme, vendimi u shoqërua me ndjenjën e dëshpërimit. Zidane ishte promovuar nga pozicioni i trajnerit të ekipit të rezervave, për të drejtuar tashmë një ekip me yje, por që po kalonte nga një episod shqetësues në tjetrin.

Zidane, eksperienca më e rëndësishme në stolin drejtues e të cilit ishte ajo e ndihmësit të Carlo Ancelottit deri atëherë, tashmë ka siguruar një ecuri tejet pozitive në një periudhë prej tuhajse 50 ndeshjesh. Prej tyre ai ka arritur 37 fitore, 11 barazime dhe vetëm dy humbje. Humbja tjetër ishte ajo me Atletico Madridin në muajin shkurt.

“Këtu duhen falënderuar futbollistët. Janë ata që zbresin në fushë, që vrapojnë, luftojnë dhe shënojnë gola”, tha Zidane. “Duhet të falënderojmë gjithashtu tifozët tanë, të cilët na qëndrojnë gjithnjë besnikë dhe na mbështesin. Sigurisht që një pjesë e meritës është edhe e atyre për këtë që po arrin ekipi”.

Top Channel