Grekët dolën në grevë të enjten duke protestuar kundër reformave të planifikuar të punësimit dhe masave të tjera shtrënguese të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe FMN.

Anijet e pasagjerëve mbetën të ndaluara në porte, transporti kombëtar dhe ai urban u ndërpre dhe zyrat e administratës lokale u mbyllën, ndërsa punonjësit iu bashkuan një greve 24 orëshe të thirrur nga sindikatat më të mëdha private dhe publike në vend.

Ndërkohë disa mijëra punonjës dhe pensionistë u mblodhën në qendër të Athinës duke kritikuar qeverinë që i është nënshtruar  huadhënësve dhe shprehën frikën se masat e kursimit do të vazhdojnë për shumë vjet.

Pjesëmarrja në protesta në fakt është reduktuar për shkak të lodhjes, ndërsa vendi është në vitin e shtatë të krizës së tij të borxheve. Ministrat e Financave të Eurozonës, thanë të hënën se Athina duhet të përshpejtojë reformat mes të cilave shkurtimet masive të vendeve të punës dhe rivendosja e kontratave kolektive mes punëdhënësve dhe sindikatave.

Athina nga ana e saj ka refuzuar kërkesat e kreditorëve për masa kursimi përtej vitit 2018. Eurozona i garantoi Greqisë një zbutje afatshkurtër të borxhit të hënën, çka nga qeveria majtiste u konsiderua si sukses, por lajmi duket se nuk i bëri përshtypje grekëve të lodhur nga kursimet, që kanë humbur pothuajse një të tretën e të ardhurave që nga fillimi i krizës në 2009.

Mijëra vetë kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e recesionit dhe në shtator, shifra e papunësisë ishte 23.4 për qind.

Top Channel