Historia e dasmës së prishur nga tragjedia natyrore

08/12/2016 00:00

Yusra Fitriani dhe Suharnas duhet të ishin duke festuar sot dasmën e tyre, por një dite përpara se të nisnin kremtimet, qyteti i vogël i provincës indoneziane të Aceh-së ku ata jetonin, u godit nga tërmeti 6,5 ballësh që mori mbi 100 jetë njerëzish.

Pak orë pas lëkundjeve të forta të tokës, trupi i pajetë i 32-vjeçarit Suharnas u nxor nga gërmadhat e tregut lokal, ku çifti ishte takuar për herë të parë.

“Është një trishtim kaq i madh për familjen tonë. Kishim bërë çdo gjë gati, njerëzit na ndihmuan përgjatë gjithë këtyre ditëve. I kërkuam një lideri fetar që ta vendoste datën e mbajtjes së ceremonisë, të na e thoshte ai se cila ditë dhe orë do të ishte më e përshtatshme për çiftin”, shprehet Rajiati, nëna e nuses.

Tërmeti nënujor i së mërkurës goditi bregun lindor të provincës. Epiqendra e tij ishte rreth 170 km nga Banda Aceh dhe qyteza Pidie Jaya me 140.000 banorë, rezulton  më e prekura nga të gjithë të tjerët me dhjetëra të vdekur e plot ndërtesa të shkatërruara. Sipas agjencisë kombëtare indoneziane të menaxhimit të fatkeqësive natyrore, mbi 700 vetë mbetën të plagosur nga tërmeti e mijëra të tjerë janë sot të pastrehë.

Më shumë se 1.000 pjesëtarë të forcave të armatosura dhe vullnetarë po ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit, një pjesë e të cilave janë përqendruar pikërisht në zonën ku vdiq Suharnas. Sipas një dëshmitari okular, në treg ka pasur shumë njerëz në momentin kur toka u drodh fuqishëm dhe vetëm atje llogaritet të kenë vdekur të paktën 22 vetë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel