Mercedesi kërkon pilot në internet

08/12/2016 00:00

Te Mercedesi po perjetohen ditë vendimtare për të ardhmen.

Deklarata e Nico Rosberg për tërheqjen nga garat e Formulës 1 e ka kapur në befasi stafin e skuderisë gjermane, që duhet të gjejë zëvendësuesin e kampionit të botës. Kandidatët nuk mungojnë dhe së fundmi janë përmendur emrat e Alonsos, Bottas apo Wehrlein, një situatë të cilën skuderia gjermane ka menduar ta bëjë më pak dramatike. Në fakt, te “Autosport” është shfaqur një njoftim për shtyp i Mercedesit ku kërkohej një pilot që të kishte karaktertistikat e përcaktuara prej skuadrës gjermane. 

Një nga kriteret e kërkuara ishte që kandidati të jetë i motivuar, me një dëshirë të madhe për të fituar dhe i gatshëm që të bëjë punë në grup. Po kështu, piloti që kërkon të marrë vendin e Rosbergut duhet të ketë eksperiencë dhe të jetë ekspert në frenim e hapjen e gazit. Tjetër kusht që lexohej në këtë njoftim është se kandidati duhet të jetë i pajisur me superlicencën e FIA-s. Në të njëjtën kohë, ai duhet të dijë edhe të komunikojë dhe të jetë një ndihmë për pjesën tjetër të skuadrës, të dijë të identifikojë pikat e forta dhe të dobëta të rivalëve të Mercedesit.

Por, përveç kërkesave, në njoftimin e Mercedesit publikohen edhe ofertat që jep kjo skuadër, siç është një bonus i majmë, sigurimi i jetës, apo mbulimi i shërbimit shëndetësor privat.

Kjo është hera e dytë që Mercedesi e merr me tone humori çështjen e zëvendësimit të Rosbergut, pas tratativave të shpejta me Verstappen në rrjetin social Twitter.

Top Channel