Nëse Bashkimi Europian distancohet nga Ballkani perëndimor, të tjerë lojtarë gjeopolitikë do të përfitojnë menjëherë nga mundësia për të shtrirë influencën e tyre në këtë rajon.

Ish-komisioneri europian i Zgjerimit, Stefan Fyle i dërgon bllokut një mesazh të qartë me deklaratën e bërë gjatë një konferencë të organizuar nga “think tank”-u belg, “Friends of Europe”. Fyle, aktualisht i dërguar special për Ballkanin i Ministrisë së Jashtme çeke, argumenton se ritmi i tanishëm i shtrirjes së BE-së nuk mund të jetë i vazhdueshëm. Me këtë, njeriu që mbajti nga viti 2000 deri në vitin 2004 portofolin e përgjegjësit të zgjerimit në komision, Barroso, i referohet “pauzës” së pranimit të anëtarëve të rinj, të shpallur nga Jean-Claude Juncker, i cili e ka bërë të qartë se gjatë mandatit të tij, radhët e Bashkimit Europian nuk do të shtohen.

Por, ndërkohë, Rusia dhe Turqia duket se i kanë nisur përpjekjet për mbushjen e këtij vakuumi. Përpos marrëdhënieve të ngushta me Serbinë, të përforcuara akoma më shumë pas sulmeve ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës, Moska tani po tenton të ndryshojë edhe drejtimin politik të Malit të Zi, të anëtarësuar rishtazi në NATO.

Turqia nga ana tjetër ka oreks për ish-territoret e saj otomane ku edhe sot shumica e popullsisë është myslimane si Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Kosova e disa pjesë të Maqedonisë. Rexhep Taip Erdoani tani vonë foli për “kufijtë e zemrës” së Turqisë duke përmendur aty kryeqytetin e Maqedonisë, Shkupin si dhe qytetin bullgar të Kardzhalit. Për Fylen, progresi i deritanishëm i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së është ende tepër i brishtë e nuk mund të mendohet se është mbërritur në pikën ku nuk ka më kthim mbrapa.

Për këtë arsye, arsyeton ai, çdo mosangazhim i BE-së në rajon do të rezultojë me angazhimin e shpejtë të forcave të tjera. Fyle thekson gjithashtu se që prej BREXIT-it dhe distancimit të anëtarëve të bllokut, për vendet e Ballkanit perëndimor, argumenti se “janë pjesë e Europës”, nuk pi më ujë.

Top Channel