Një Peppa Pig për myslimanët

08/12/2016 00:00

Liderët islamikë në Australi mbështetën një fushatë për të prodhuar një film alternativ ndaj të famshmit “Peppa Pig” që të zhvillohet në një qytet me shumicë myslimane. Këshilli Kombëtar Australian i Imamëve nxiti prindërit që të grumbullojnë fonde për shfaqje televizive që mbështesin vlerat islamike.

“Barakah Hills”, një seri filamsh vizatimorë hallall, është konsideruar si një alternativë myslimane ndaj “Peppa Pig”. Kjo e fundit është një shfaqje e famshme për fëmijë që transmetohet në 180 vende. Por, kompania “One4Kids”, e cila prodhon shfaqje për fëmijë me tema islamike, kërkon që të grumbullojë 20 000 dollarë australianë që të nisë prodhimin e “Barakah Hills”.

Sipas kompanisë, kjo shfaqje ka për qëllim t’i tregojë fëmijëve se si është të jesh mysliman dhe njëkohësisht një qytetar i mirë në komunitet. Kompania prodhon lloje të ndryshme filmash vizatimorë që fokusohen tek lutjet, histori të profetit, Ramazani dhe mësimi i arabishtes. Zyrtarë të Këshillit të Imamëve thanë se fëmijët përballen me lloje të ndryshme programesh në televizion. Kjo, sipas imamëve, nuk duhet ndaluar, por thjesht i duhet ofruar një alternativë tjetër.

Sipas kompanisë “One4kids”, Peppa Pig është një shfaqje e bukur, por ka mesazhe që mund t’i llastojnë fëmijët. Sipas statistikave qeveritare, 2,2% e australianëve listojnë si fenë e tyre Islamin, në krahasim me 61.1% që identifikohen si të krishterë.

Top Channel