Asad: Fitorja në Alepo nuk i jep fund konfliktit

08/12/2016 08:10

Presidenti sirian Bashar al Asad tha se fitorja e ushtrisë së tij në Alepo do të ishte një hap i rëndësishëm drejt fundit të luftës civile 5-vjeçare. Por, ai shtoi se mposhtja e grupeve rebele në qytetin verior nuk i jep fund automatikisht konfliktit.

Komentet e tij u bënë pasi rebelët kërkuan një armëpushim 5-ditor për të lejuar largimin e civilëve nga zonat e luftës, pasi u tërhoqën nga fortesat e tyre të fundit në qytetin e vjetër të Alepos. Megjithatë, Asad përjashtoi mundësinë e një armëpushimi, pavarësisht se këtë e kanë kërkuar edhe SHBA së bashku me 5 fuqi perëndimore.

Në një intervistë për gazetën siriane “Al Watan”, Asad u shpreh se Alepoja do të jetë një fitore për ushtrinë, por jo fundi i luftës në Siri. Ai tha se terroristët janë të pranishëm kudo në Siri dhe pas marrjes së kontrollit të Alepos do të vazhdojë lufta kundër tyre. Aktualisht, forcat qeveritare kontrollojnë 75% të Alepos lindore, zona që deri pak javë më parë ishin në duart e rebelëve.

SHBA, Britania, Gjermania, Italia, Franca dhe Kanadaja së bashku kërkuan një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar OKB-në që të dërgojë ndihma humanitare në lindje të Alepos. Ata gjithashtu dënuan qeverinë siriane dhe Rusinë se nuk lejojnë kalimin e ndihmës dhe se bombardojnë shkolla e spitale. Por, pavarësisht kësaj, ushtria siriane dhe aleatët e saj rusë dhe iranianë nuk pranojnë asnjë armëpushim dhe as korridore humanitare.

Sulmi me mortaja i së hënës ndaj një spitali fushor rus vetëm sa ka përforcuar vendosmërinë e Moskës që t’i japë fund betejës për Alepon sa më shpejt që të jetë e mundur.

Top Channel