Spanjë, aksion anti-drogë në mes të detit, kapen 2.5 tonë kokainë

07/12/2016 00:00

Një operacion i përbashkët i policisë spanjolle dhe asaj marokene ka çuar në shkatërrimin e një prej rrjeteve më aktive të trafikut të kokainës në Europë.

Sipas njoftimit të mediave spanjolle, në pranga kanë rënë dhjetëra persona dhe janë sekuestruar mbi 2.5 tonë kokainë.

Operacioni, i cili nisi në muajt e verrës në provincën iberike të Galicias, ka mundësuar shpërbërjen e organizatës, që i shtrinte tentakulat nga Europa në Amerikën Latine dhe në Afrikë.

Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, në pranga ranë 12 persona, të cilët po transportonin lëndën narkotike në një anije peshkimi, e cila u ndaluar nga trupat policore në mes të detit.

Ndërkohë, 12 persona të tjerë u ndaluan në faza të tjera të aksionit. 18 nga të arrestuarit janë marokenë, ndërsa 6 të tjerët spanjollë. Në Spanjë u arrestua edhe lideri i grupit, i cili në momentin e bllokimit po bëhej gati të udhëtonte drejt Kolumbisë.

Autoritetet deklaruan se, organizata kriminale përdorte 3 deri në 4 varka për transportin e drogës, duke i vështirësuar policisë lokalizimin.

Spanja mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës për tregun europian. Sekretari i Sigurisë, Francisco Martinez tha për mediat në nëntor se 40 për qind e sekuestrimeve të kokainës në Europë është bërë në Spanjë.

Top Channel