Kosovë, Veseli pritet nga homologu francez Claude Bartolone

07/12/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është pritur në Asamblenë Nacionale të Francës nga homologu i tij Claude Bartolone, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryetari i Asamblesë Nacionale të Francës, Bartolone, i ka dhënë mbështetje të plotë Kryeparlamentarit të Kosovës, Veseli dhe institucioneve kosovare për punën që po bëjnë në përmbushjen e reformave për zhvillim ekonomik dhe reformim të sistemit të drejtësisë, si dhe në rrugën drejt integrimeve europiane.

“Qytetarët e Kosovës janë në zemrat tona dhe vendi juaj do të ketë kujdes të veçantë nga Franca. Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformave të nevojshme, ndërsa shteti ynë do të ndihmojë dhe angazhohet edhe më shumë për integrimet evropiane të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha Bartolone.

Ai, po ashtu, theksoi se Franca është e interesuar të intensifikojë raportet me Kosovën në fushën e ekonomisë, arsimit dhe të kulturës. Gjatë takimit të veçantë me Bartolone, Veseli tha se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve europiane dhe në rrafshin e brendshëm po bën reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik.

Në këtë takim, Veseli foli për mundësitë që ka Kosova dhe ftoi investitorët francezë që të investojnë në Kosovë.

Mësohet se Veseli dhe Bartololone kanë diskutuar edhe për një marrëveshje prej 62 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza. Kryeparlamentari kosovar theksoi se kjo marrëveshje shumë shpejt do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel