“Kaska e artë” për Nico Rosberg, ironi kundër Hamilton

07/12/2016 00:00

Te Mercedes ka nisur prej ditësh ankandi për të gjetur një pasues jo dosido por të denjë për vendin e kampionit të botës, por ndërkohë Nico Rosberg vazhdon turin e tij në vendet europiane. Gjermani mori në qytetin e Bolonjës edhe një tjetër vlerësim personal, “Kaskën e artë” pikërisht për botërorin e sapofituar në fundin e një sezoni fantastik të vendosur në kthesën finale.

“Vendimi për tërheqjen time nga të gjitha garat është i pakthyeshëm. Kam kaluar vite të bukura në Formula 1, kam bërë gara të luftuara dhe të bukura duke fituar shumë prej tyre që i kurorëzova me titullin. Jam i kënaqur me karrierën time pasi kam realizuar të gjithë atë çka ëndërroja. Vendosa të them stop kur arrita majën”, tha Nico Rosberg.

Gjermani e kaloi me një batutë ironike pyetjen mbi kandidatin e mundshëm që do ta zëvendësojë në njëvendëshen e Mercedes.

“Shpresoj të jetë vërtet një pilot i aftë që të luftojë shumë me Hamilton. Abu Dabi ishte një garë e tmerrshme ku humba titullin 3 herë, sidomos në mes të xhirove me Mad Max. Tani që u tërhoqa gruaja ime do të jetë e lumtur dhe unë do mund të jem sërish shoku i Hamilton”, tha kampioni i botës në Formula 1.

Top Channel