United udhëton në Ukrainë, blindohet Odesa

07/12/2016 00:00

Më shumë se 1 mijë forca sigurie janë angazhuar për planin e mbarëvajtjes së ndeshjes që do të luhet mes Manchester United dhe Zorya Luhansk në Europa League, përballja e fundit në grup që do të sanksionojë dhe ekipet e kualifikuar. Situata e tensionuar me konfliktit Ukrainë-Rusi dhe grupimet famëkeqe të huliganëve, kanë imponuar për autoritetet dhe për UEFA-n që ta konsiderojë përballjen e së enjtes, një sfidë me rrezik të lartë.

“Djatë e kuq” i kanë bërë thirrje tifozëve që të konsiderojnë paralajmërimet për sigurinë për ndeshjen në qytetin e Odesës, një qytet ku thuajse çdo grupim tifozërie ka patur probleme me transfertat në vitet e fundit. Edhe këtë sezon kur Feyenoord dhe Fenerbahce vizituan qytetin port në Detin e Zi, huliganët dhe grupimet ekstreme të Europës Lindore bënë që prezenca e tyre të ndihej shumë.

Mbi 1 mijë tifozë të Manchester United do të jenë prezent për të mbështetur ekipin e tyre ndaj Zoryas në sfidën e fundit të grupit A. Thuajse po kaq policë, stjuard dhe forca sigurie private do të jenë në stadium të enjten në mbrëmje në stadiumin “Cernomorets” me 27 mijë e 400 spektatorë.

“Ne kemi besim se klubi pritës do të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e futbollistëve”, tha UEFA në një njoftim për shtyp, por pa harruar të kujtojë se duhet patur kujdes mbi veprimet e ekstremistëve.

Top Channel