Belgjikë, arrestohen 3 terroristë. Dy nga Kosova, tjetri nga Serbia

07/12/2016 00:00

Autoritetet belge kanë arrestuar 3 nga 8 personat e dyshuar për lidhje me terrorizmin në Lindjen e Mesme. Sipas shtypit britanik, dy prej personave në pranga janë shtetas kosovarë, ndërsa i treti është nga Serbia.

Mësohet se të arrestuarit janë të 20-ave. Akuza e ngritur nga Prokuroria është “pjesëmarrje në aktivitete terroriste”. Ata dyshohet se kanë ndihmuar për rekrutimin e xhihadistëve drejt Sirisë, si dhe kanë mbledhur shuma parash për t’ua dërguar xhihadistëve në Lindjen e Mesme.

Krahas 3 arrestimeve, 5 personat e tjerë të ndaluar që u morën në pyetje, në fund u lanë të lirë.

Kosova po e gjen veten gjithnjë e më shumë të përballur me rrezikun e radikalizmit islamik. Sipas një artikulli të “New York Times” të majit 2016, në total atje janë identifikuar 314 persona që u janë bashkuar radhëve të Shtetit Islamik, përfshirë këtu dy kamikazë, 44 gra dhe 28 fëmijë, i konsideruar ky si numri më i lartë për frymë në Europë.

Ndërkohë Belgjika konsiderohet si baza europiane për xhihadistët, pasi sulmet në Paris rezultuan se ishin planifikuar në lagjen “Molenbeek” të Brukselit. Edhe vet kryeqyteti belg u kthye në një skenë të përgjakshme, kur ISIS kreu një sulm, në të cilin humbën jetën 32 persona.

Top Channel