Pakistan, rrëzohet avioni me 48 pasagjerë në veri të vendit

07/12/2016 00:00

Një avion i kompanisë “PIA” (Agjencia ndërkombëtare e fluturimit të Pakistanit) me 48 persona në bord është rrëzuar në një zonë malore në veri të vendit gjatë mesditës së kësaj të mërkure.

Sipas komunikatës së “PIA”-s, avioni ishte nisur nga qyteti verior i Chitralit me destinacion kryeqytetin Islamabad, ndërkohë që humbi kontaktet me kullën e kontrollit gjatë fluturimit.

Avioni kishte “rreth 40 pasagjerë”, thuhet në komunikatën e kompanisë, ndërkohë që Autoriteti i Aviacionit Civil tha se ishin plot 48 persona në bord, mes të cilëve 42 pasagjerë, 5 anëtarë ekuipazhi dhe një inxhinier. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia apo autoriteti mbi viktimat, vështirë se mund të ketë mbijetuar njeri.

Në bordin e tij besohet të kenë qenë edhe 9 gra e dy fëmijë. Mes pasagjerëve ishte edhe njëri prej muzikantëve më të njohur në vend, Junaid Jamshed, i njohur edhe si aktor e drejtues emisionesh televizive. Ushtria ka njoftuar se ka rikuperuar të paktën 21 trupa nga vendngjarja.

Laiq Shah, një zyrtar i lartë i policisë në provincën Khyber Pakhtunkhëa, tha se aeroplani ishte përplasur në zonën e provincës Havelian.

“Ekipet e shpëtimit janë nisur në vendngjarje dhe mbërrijnë shpejt, më pas do të mësojmë më shumë mbi këtë tragjedi ajrore”, tha zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit Civil, Pervez George.

Televizionet “Geo News” dhe “Dawn News”, duke cituar burime të autoritetit, tha se avioni humbi kontaktet me kullën e kontrollit rreth orës 16:30 (me orën lokale, apo 12:30 me tonën).

Top Channel