Krijuan kartel për manipulimin e Euriborit, gjoba të majme bankave

07/12/2016 00:00

Komisioni Europian ka gjobitur bankat “Credit Agricole”, “HSBC” dhe “JP Morgan Chase” me një total prej 485 milionë eurosh, për rolin që ato kanë luajtur në një kartel që synonte manipulimin e çmimit të tavanit financiar të lidhur me euron, siç njihet ndryshe “Euribor”.

Ky i fundit përdoret për të përllogaritur vlerën e shumë produkteve financiare, që shkojnë deri në miliarda euro. “Bankat kanë komplotuar mbi një produkt financiar të quajtur ‘derivati i shkallës së interesit të euros’ në shkelje të rregullave antitrust”, tha komisionerja e BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager.

Ajo shtoi se bankat ishin pjesë e një karteli të përbërë nga 7 institucione financiare, që kanë komplotuar mes shtatorit 2005 dhe majit 2008, për të deformuar shkallën e interesit të Euriborit, që përcakton edhe koston e huave ndërbankare.

“Në periudha të ndryshme mes 2005-s dhe 2008-s, këto banka kanë qenë në kontakte të rregullta në dhomat e konferencave të korporatave, apo nëpërmjet SMS-ve. Ato kanë shkëmbyer informacione konfidenciale dhe të fshehta për transaksionet dhe strategjitë e tyre. Qëllimi i kartelit ishte të deformonin shkallën e Euriborit”, tha Vestager, e cila shpjegoi se ky deformim shkonte në favor të operacioneve të tyre financiare.

“JP Morgan Chase” u gjobit me 337.2 milionë euro dhe “Credit Agricole” me 114.7 milionë euro për pjesëmarrjen pesëmujore në kartel. Ndërsa “HSBC” do të paguajë 33.6 milionë euro për pjesëmarrjen në kartel për vetëm një muaj.

“Deutsche Bank”, “RBS” dhe “Societe Generale” pranuan fajësinë në dhjetor të 2013-s dhe u gjobitën me 824 milionë euro, gjoba kolektive më e madhe kjo e dhënë ndonjëherë nga Komisioni Europian. Ndërkohë, “Barclays” evitoi dënimin, pasi ishte ajo që ndezi alarmin në komision.

SHBA dhe BE i kanë vendosur deri më tani gjoba më shumë se 10 bankave, apo institucioneve të tjera financiare, për manipulimin e interesit ndërbankar të Londrës, ose “Libor”, që përdoret për valuta të ndryshme, përfshirë jenin, dhe të ngjashmen e saj europiane “Euribor”.

Top Channel