Itali, senatorët kërkojnë zgjedhje. Presidenti refuzon: Duhet ligj i ri zgjedhor

07/12/2016 00:00

Ligjvënësit italianë u kanë kërkuar institucioneve përshpejtimin e procesit që çon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Dhoma e lartë e Parlamentit miratoi buxhetin e 2017-s, lëvizje kjo që duhet t’i hapë rrugën kryeministrit për ta dorëzuar kërkesën e tij të largimit, të premten.

41-vjeçari e njoftoi vendimin e dorëheqjes mëngjesin e së hënës, kur u qartësua rezultati i referendumit mbi ndryshimet kushtetuese. Por presidenti Sergio Mattarella, në fuqitë e të cilit hyn edhe caktimi i krerëve të ekzekutivit e shpërbërja e Parlamentit, i kërkoi të qëndrojë në post sa të aprovohet buxheti i vitit që vjen.

Përseja e kësaj shtyerjeje të dorëheqjes nuk është ende e qartë, por Mattarella pretendon që Parlamenti të hartojë një ligj të ri zgjedhor përpara mbajtjes së votimeve, që me shumë gjasë do të shtyhen deri në pranverë. Por senatorët u bënë thirrje të gjithë ligjvënësve ta kapërcejnë krizën qeveritare, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.

“Populli italian ka nevojë për ndryshim dhe ka nevojë t’u drejtohet qendrave të votimit, ku do të thotë më në fund fjalën e tij mbi politikat që duhen ndjekur”, tha Alberto Airola.

Senatori Stefano Candiani e krahasoi Renzin me kapitenin e “Costa Concordia”-s, i cili po komandonte tragetin e luksit kur u përplas me shkëmbinjtë në vitin 2012.

“Renzit, pak a shumë si Schettinos, iu desh ta braktiste anijen pa e çuar atë në port”, tha Stefano Candiani.

Qeveria e Renzit është e 63-ta në 70 vite në Itali dhe me 1.020 ditët e saj konsiderohet e katërta për nga kohëzgjatja, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel