Kosovë, qeveria alarmohet nga muri “serb” në Mitrovicë

07/12/2016 00:00

Qeveria e Kosovës është alarmuar nga fillimi i ngritjes së një muri ndarës afër urës së lumit Ibër, nga serbët në veri të Mitrovicës.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri mblodhi në një takim urgjent grupin qeveritar të punës për marrëveshjen e Brukselit, i cili merret me heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit, por që tashmë duhet të koordinojë dhe masat ligjore të qeverisë së Kosovës për të ndaluar menjëherë ndërtimin e këtij muri, që bie ndesh me ligjet e vendit dhe marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkohë, minstrja Tahiri tha se ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Europian në lidhje me këtë ngjarje shqetësuese.

Përfaqësuesit e institucioneve në këtë takim raportuan se, mëngjesin e së mërkurës janë marrë masat e para. Policia e Kosovës ka inspektuar vendin ku kanë filluar punimet, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e Urbanistikës në terren për të inspektuar zhvillimet, ndërsa gjatë ditës pritet raporti zyrtar.

“Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, në lidhje me ndërtimin e një muri, janë shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për situatën në atë pjesë të vendit, duke cënuar të gjitha arritjet e deritanishme për të vendosur normalitetin, stabilitetin dhe rendin. Ndërtimi i këtij muri është një veprim ilegal dhe në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit për rivitalizimin e urës së Ibrit, e si i tillë do të ndalet dhe rrënohet. Koha e mureve ka kaluar, është koha e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës nga ura e Ibrit i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave”, tha Edita Tahiri, ministre e Kosovës për Dialogun.

Sipas ministres kosovare, ky mur po ngrihet nga strukturat paralele komunale të dirigjuara nga Serbia. Muri prej betoni, 2 metra i lartë, po ngrihet ilegalisht në vendin ku, sipas planit të BE-së duhej të ishte një park.

Top Channel