NBA, fitojnë San Antonio e Detroit

07/12/2016 00:00

San Antonio Spurs nuk i ndahet Golden State. Skuadra e drejtuar nga Gregg Popovich mposhti në “Target Center” skuadrën e Minnesota Timberwolves me rezultatin 105-91, për të regjistruar fitoren e katërt radhazi, ndërkohë që bilanci i sezonit shkon në 18 fitore dhe 4 humbje.

Minnesota u reziston teksanëve vetëm në pjesën e parë, të cilën arriti ta mbyllë në avantazhin e saj 46-43. Pas pushimit të ndeshjes, San Antonio mori frenat e lojës në dorë dhe e mbylli periodën e tretë 29-18, një dominim që vijoi edhe në 12 minutëshin e fundit, që San Antonio e fitoi 33-27. Për të besuarit e Popovich spikati Leonard me 31 pikë, ndërsa për Minesotën shënuesi më i mirë ishte LaVine me 25 pikë.

Chicago Bulls bie në “Auburn Hills” ndaj Detroit. Skuadra e Pistons iu imponua asaj nga Ilinois teksa e mposhti 102-91. Për Bulls nuk mjaftuan 32 pikët e Butler dhe 19 të Dwayne Wade për të evituar humbjen e 9 sezonale, ndërkohë që Detroit ka një ekuilibër në bilancin e tij, me 11fitore dhe 11 humbje.

Philadelphia 76ers vazhdon të jetë skuadra më e dobët e NBA. Skuadra e 76ers u thye nga Memphis Grizzlies 91-96, duke shënuar humbjen e 8 radhazi dhe tani është e fundit në Konferencën e Lindjes me 4 fitore dhe 18 humbje.

Në ndeshjet e tjera, New York Knicks mundi Miami Heat 114-103, ndërsa Orlando Magic fitoi me Washington Wizards 124-116.

Top Channel