Rilindja ushtarake japoneze, nën sloganin e “vetëmbrojtjes”

07/12/2016 00:00

Plot 75 vite pasi Japonia kreu një prej sulmeve detare më shkatërrimtare në historinë e Shteteve të Bashkuara në “Pearl Harbor”, vendi i “samurajve” është bërë sërish një prej fuqive ushtarake më të mëdha në botë.

Rilindja ushtarake japoneze vjen pavarësisht kushtit kushtetues të imponuar nga SHBA-të pas Luftës së Dytë Botërore, se vendi mund të kishte vetëm forca mbrojtëse.

Në fakt, shumë ekspertë thonë se pikërisht ky kufizim mbrojtës ka ndihmuar që ushtria japoneze të bëhet shumë më e fortë se ç’mund të ishte pa të.

Analistët ushtarakë thonë se, termi “forca mbrojtëse” është thjesht një slogan publicitar, pasi Japonia mund ët përballet denjësisht me çdo ushtri në botë. Dhe këtë forcë e ka arritur vetëm me një fraksion të buxhetit ushatarak të fuqive të tjera.

Nuk ka dyshim se përforcimi ushtarak japonez vjen si pasojë e dinamikave të sigurisë në ndryshim në rajon, por edhe për shkak të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, që duket se do të rimodelojë hartën gjeopolitike.

Marina japoneze, e cila gjithashtu ka si përcaktim “forcë mbrojtëse”, llogaritet si një prej 5 më të mirave në botë, por edhe pjesa tjetër e forcave të armatosura nuk mbetet pas. Sigurisht që bashkëpunimi i ngushtë me Amerikën ka meritën e vet, por padyshim që forca kryesore pas kësaj rilindjeje ushtarake është zotësia japoneze që shkëlqen në çdo fushë.

Ekspertët thonë se puna në ekip dhe angazhimi i përbashkët është një tipar karakteri, që i vjen natyrshëm japonezëve, ndërsa në SHBA apo vende të tjera individët nxiten që të bien në sy, në stilin “Top Gun”.

Edhe pse nuk shquhet për prodhimin e pajisjeve ushtarake, Japonia ka një zotësi të mahnitshme për të përmirësuar teknologjinë e vendeve të tjera. Megjithëse nuk pritet nga askush, që Japonia të hapë zjarr e para, ndërlikimi i situatës në rajon e ka bërë ushtrinë e aftë një domosdoshmëri dhe çdo rival duhet të mendohet mirë, para se të nisë një konflikt të armatosur me ishullin e “samurajve”, ku zor se kleçkat ligjore mund të fshijnë trashëgiminë shekullore luftarake.

Top Channel