Pekini nuk gjen qetësi pas telefonatës së Trumpit me presidenten e Tajvanit

07/12/2016 00:00

Kina i kërkoi Uashingtonit që t’i mohojë hyrjen në SHBA presidentes së Tajvanit, ndërsa biseda telefonike e Donald Trumpit me Tsai Ing Wen, që shkeli çdo protokoll, vazhdon të krijojë fërkime mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Tsai, e cila në janar u bë femra e parë që drejton Tajvanin, pritet të fluturojë përmes SHBA-ve muajin e ardhshëm, në kuadër të turneut të saj në Nikaragua, Guatemala dhe El Salvador. Ka pasur spekulime që janë mohuar nga këshilltarët e Trumpit, se ajo mund të ndalojë në Nju Jork për t’u takuar me presidentin e zgjedhur, para përurimit më 20 janar.

Pekini, i cili e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të vet dhe nuk njeh autoritetin e presidentes Tsai mbi ishull, i bëri thirrje SHBA-ve që të mos e lejojnë këtë.

Ministria e Jashtme kineze tha se, shpreson që SHBA-të nuk do të lejojnë tranzitin e Tsait dhe nuk do t’i dërgojnë sinjale të gabuara forcave pro pavarësisë në Tajvan.

Por, Departamenti amerikan i Shtetit u përgjigj duke thënë se kalimi i udhëheqësve tajvanezë përmes SHBA-ve është pjesë e një praktike të gjatë, që shkon paralel me natyrën jozyrtare të raporteve amerikane me Tajvanin.

Kërkesa kineze u bë pasi u mor vesh se një ish-politikan amerikan, tashmë lobist i fuqishëm, Bob Dole ishte personi që organizoi telefonatën e Trumpit me presidenten e Tajvanit, Tsai. Kjo solli kritika të reja për mënyrën sesi Trump manaxhon politikën e jashtme, që deri tani duket si “thembra e tij e akilit”.

Top Channel