SHBA, Kasich “shuan” shpresat e anëtarëve “tradhtarë” të Kolegjit Elektoral

06/12/2016 00:00

Guvernatori i Ohios, John Kasich u ka kërkuar këtë të martë anëtarëve të Kolegjit Elektoral të mos votojnë për të, në një goditje ndaj përpjekjeve të zgjedhësve elektoralë anti-Trump për të krijuar konsensusin mbi një alternativë ndaj Trumpit.

Thirrja e Kasich erdhi pasi një grup zgjedhësish demokratë, me mbështetjen e një republikani të vetëm nga Teksasi, dhanë sinjalet se ishin duke negociuar mbi alternativën Kasich si një zgjedhje më e gjithëpranueshme. Megjithatë, deklarata e Kasich duket se do t’i çojë ata mbrapsht në fazën përgatitore.

“Nuk jam një kandidat për president, ndaj u bëj thirrje zgjedhësve të mos votojnë për mua, kur të mblidhen më vonë gjatë këtij muaji. Vendi ynë pati zgjedhje dhe Donald Trumpi fitoi”, shkroi Kasich në një deklaratë të publikuar në “Twitter”. “Vendi ynë është i përçarë dhe sigurisht që ka ende emocione nga të dyja kampet që vijnë si pasojë e zgjedhjeve. Por kjo qasje do t’i shërbejë vetëm përçarjes së mëtejshme të kombit tonë, në një kohë që nevojitet më shumë unitet”.

“Zgjedhjet kanë përfunduar, – vijoi ai. – Tashmë për të gjithë ne është koha për t’u mbledhur së bashku si amerikanë”.

Kolegji Elektoral prej 538 anëtarësh do të mblidhet më 19 dhjetor, secili në kryeqytetet respektive të shteteve të tyre, aty ku ata do të hedhin votën e autorizuar me Kushtetutë për president.

Të paktën 8 zgjedhës demokratë të Kolegjit Elektoral, nga Uashingtoni dhe Kolorado, janë angazhuar së bashku me homologun e tyre republikan për të refuzuar Trumpin si president. Nëse ata do të bëheshin të paktën 37 me të njëjtin objektiv, kjo do të bënte që zgjedhja e presidentit të shkonte në Dhomën e Përfaqësuesve. Deri më tani, vetëm një republikan, Chris Suprun nga Teksasi, ka bërë të ditur se do ta refuzojë Trumpin. Ndërsa në një opinion për “New York Times”, Suprun tha se preferonte Kasich si alternativë.

Top Channel