Trump kërkon anulimin e porosisë ndaj “Boeing” për “Air Force One”-t e rinj

06/12/2016 00:00

Në përpjekjen për të shkurtuar kostot qeveritare, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump njoftoi se do të anulonte porosinë për avionë të rinj presidencialë. 6 javë para marrjes së detyrës, ai shkroi në “Twitter”:

“Boeing po ndërton një avion të ri ‘Air Force One 747’ për presidentët e ardhshëm, por kostot dalin jashtë kontrollit: më shumë se 4 miliardë. Porosia do të anulohet”.

Qeveria amerikane ka një kontratë me kompaninë “Boeing” për ndërtimin e dy avionëve të rinj që do të hynin në shërbim rreth vitit 2024. Vet Trump nuk do të fluturonte me avionët e rinj, përveçse në rastin e sigurimit të një mandati të dytë në vitin 2020.

Manjati i pasurive të paluajtshme vazhdon të përdorë avionin e tij privat, por si president ai do të udhëtojë në bordin e “Air Force One”, i cili është i pajisur me mjete të posaçme sigurie, mbrojtëse dhe komunikacioni.

Më vonë në “Trump Toëer”, ai tha për gazetarët se “Boeing” kishte filluar të bënte numra dhe kostot ishin qesharake.

“Ne duam që Boeing të bëjë parà, por jo kaq shumë”, shtoi Trump. Qeveria vlerëson se kostoja totale e projektit do të jetë 3.2 miliardë dollarë, një shifër kjo që pritet të rritet.

Ndërkohë, zëdhënësi i “Boeing”, Todd Blecher nxitoi të kujtonte se kishin një kontratë me qeverinë amerikane.

“Po presim me padurim të punojmë me Forcat Ajrore amerikane për fazat a ardhshme të programit, që do të na lejojnë të ndërtojmë avionët më të mirë për presidentët, me vlerën më të volitshme për taksapaguesit”, thuhej në një deklaratë.

Ndërkohë, aksionet e “Boeing” në bursë ranë me 1 për qind, pas postimit të Trumpit në “Twitter”.

Top Channel