Përvjetori i 8 i vrasjes së adoleshentit, Athina kthehet në arenë përleshjesh

06/12/2016 00:00

Prania e më shumë se 3.000 policëve nuk e ka penguar Athinën të kthehet në arenë përleshjesh, në përvjetorin e 8 të ekzekutimit të adoleshentit Alexis Grigoropoulos, në dhjetorin e 2008-s.

Disa qindra anarkistë hodhën një “breshër” koktejlesh molotovi kundër forcave të rendit, të stacionuara në lagjen “Exarcheia”, pranë zonës ku 8 vite më parë plumbat e policisë ekzekutuan 16-vjeçarin Grigoropoulos.

Anarkistët kanë qenë të organizuar në disa grupe dhe kanë vazhduar sulmet ndaj policisë, e cila është përgjigjur me granata shpërthyese dhe gaz lotsjellës.

Autoritetet greke thonë se kanë ndaluar disa të rinj, si të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet me molotov dhe gurë kundër efektivëve të saj.

Situata është tepër e tensionuar në zonën e “Exarcheia”-s, ndërsa policia thotë se nuk do të lejojë shpërndarjen e grupeve të anarkistëve nëpër zona të tjera të qendrës së Athinës.

Për momentin, shumë rrugë në qendër të kryeqytetit helen janë të bllokuara. Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Greqisë, Selanik, Patra, Janinë dhe Iraklio.

Top Channel