Kategoria Superiore, Partizani dhe Kukësi marrin nga një pikë; humb Tirana

06/12/2016 19:00

Nuk ka fitues në “Elbasan Arena” dhe Kukësi apo Partizani nuk mundën të përfitonin nga hapi fals i Skëndërbeut pak ditë më parë në Shkodër.

Përballja më e fortë e javës, e konsideruar në “shtëpi” për Partizanin, por e zhvilluar sërish në qytetin e Elbasanit, përfundoi me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve të shumta të krijuara nga të dyja skuadrat. Me këtë pikë të marrë, Kukësi ngjitet sërish në krye, duke iu bashkuar kampionëve të Skënderbeut në kuotën e 28 pikëve, ndërkohë që Partizani mbetet në vendin e tretë, në kuotën e 25 pikëve, duke çuar në 3 distancën me Tiranën.

Bardheblutë janë mundur 1-0 në Vlorë nga Flamurtari, duke regjistruar humbjen e parë të skuadrës nën drejtimin e Josës dhe të dytën në këto 14 javë kampionat. Një ndeshje që fillon me një ngjarje sërish befasuese: ndriçimi i stadiumit Flamurtari pëson defekt sapo fillon loja.

Megjithatë, këtë herë OSHEE-ja ka raportuar se organizatorët i kishin marrë masat dhe për këtë arsye rikthimi i energjisë elektrike ishte i shpejtë. Fillimi i takimit ishte më pozitiv për Tiranën, e cila krijoi volum loje, por nuk konkretizoi dot, ndërkohë që me shumë më pak raste vlonjatët gjejnë golin e avantazhit, me Shkodrën pa u mbyllur 45 minutat.

Pjesa e dytë ishte e njëjta tabllo, por me një Flamurtar që ju përgjigj më mirë lojës së Tiranës. Kryeyqtetasit mbeten dhe me 10 lojtarë që nga minuta e 73-të, kur Vucaj godet me kokë Danilo Alves. Minutat e mbetura thjesht vulosën fitoren e Flamurtarit, që me tre pikët e marra del për momentin nga zona e ftohtë, ndërkohë që Tirana ruan vendin e katërt.

Top Channel