Pasi refuzoi ekstradimin për 3, Athina vendos riatdhesimin e 3 “puçistëve” turq

06/12/2016 00:00

Gjykata e Apelit në Athinë ka vendosur që 3 prej 8 ushtarakëve turq, të cilët kërkuan azil politik në Greqi pas tentatives së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi, të riatdhesohen në vendin e tyre.

Sipas vendimit, 3 ushtarakët do të dorëzohen tek organet turke me akuzën se kanë tentuar të rrëzojnë qeverinë, të pengojnë mbledhjen e Parlamentit turk dhe se kanë rrëmbyer një helikopter ushtarak, ndërsa është rrëzuar akuza për tentativë vrasjeje të presidentit Erdogan.

Të 3 oficerët pritet të apelojnë dhe kjo do t’u japë mundësinë të mos riatdhesohen deri në një gjyq të dytë, ndërkohë që ndodhen ende nën arrest.

Ky zhvillim vjen vetëm 24 orë pasi e njëjta gjykatë, me një juri tjetër ka dhënë vendim të kundërt për të mos i riatdhesuar 3 ushtarakët e parë prej 8 oficerëve.

Gjykata ka rënë dakord ditën e djeshme, me kërkesën e prokurorit, që jeta e tyre nëse riatdhesohen perballet me rreziqe të mëdha, vendim ky që solli reagimin e ministrit turk të Mbrojtjes, që i bëri thirrje Athinës të dorëzojë të gjithë “puçistët” e arratisur, ndërsa edhe kryeprokurori i kësaj gjykate ka bërë apel për çështjen.

Ndërsa këtë të martë, trupi i ri gjykues ka hedhur poshtë pretendimet e 3 ushtarakëve të dytë, të cilët kanë deklaruar se nëse do të dorëzohen tek organet turke nuk do të kenë një gjyq të drejtë dhe do të torturohen e çnderohen, si dhe nuk ka pranuar as faktet që ata kanë sjellë, sipas të cilave bashkëshortet e tyre janë pushuar nga puna dhe u janë bllokuar madje edhe llogaritë bankare.

Në ditët në vijim, gjykata do të shqyrtojë edhe akuzat për dy ushtarakët e fundit, të cilët ende nuk janë gjykuar.

Top Channel