Gjermani, Merkel rizgjidhet kryetare e CDU-së: Të ndalim burkën, aty ku mundemi

06/12/2016 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë të ditur se veshja e një “perdeje” që mbulon thuajse plotësisht fytyrën duhet të ndalohet në vend, “kudo që është e mundur ligjërisht diçka e tillë”.

Gjatë një takimi të partisë së saj CDU, ajo doli në mbrojtje të ndalimit të të ashtuquajturave “burka” nëpër shkolla, gjykata dhe ndërtesat e tjera shtetërore. Megjithatë është gjerësisht e pranueshme se ndalimi total i këtyre veshjeve do të ishte në shkelje të Kushtetutës së Gjermanisë.

Merkel u rizgjodh si kryetare e CDU-së, por përballet me një sfidë të fortë nga partia e ekstremit të djathtë antiemigracion, “AfD” (Alternativa për Gjermaninë), në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Niveli i mbështetjes së saj ka rënë që prej vendimit për të lejuar rreth një milion azilkërkues të hynin në Gjermani gjatë vitit të kaluar, në atë që u konsiderua si kriza më e rëndë e refugjatëve në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Gjithsesi, kancelarja e qendrës së djathtë, e cila qëndron në pushtet që prej vitit 2005, ruan ende një mbështetje të gjerë. Ajo është rizgjedhur si udhëheqëse e Unionit Kristian-Demokratik të martën, me 89.5 për qind të votave të hedhura nga 1.000 delegatët me të drejtë vote.

Merkel u shpreh gjatë kongresit të përvitshëm të CDU-së, të mbajtur në qytetin e Essenit, se është e drejtë të presësh integrimin e të të ardhurve së fundi. Ajo shprehu mbështetjen për një propozim, të nënvizuar në gusht nga ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, për të nxjerrë si të paligjshme “burkën” apo çdolloj veshjeje që mbulon thuajse tërësisht fytyrën, veçanërisht nëpër institucionet publike.

Në kulturën gjermane, – tha ajo, – nuk është aspak e përshtatshme që gratë të mbulojnë tërësisht fytyrat e tyre, ndaj dhe kjo lloj veshjeje “duhet ndaluar kudo ku është ligjërisht e mundshme”.

Gjatë muajve të fundit, “Alternativa për Gjermaninë” ka përfituar nga vala e irritimit të gjermanëve me krizën e fundit të refugjatëve, si dhe ka korrur suksese në zgjedhjet rajonale. Sondazhet sugjerojnë se “AfD”-ja gëzon aktualisht rreth 12% të mbështetjet kombëtare.

Top Channel