Rreziku për BE; Shenjat se unioni është në krizë

06/12/2016 00:00

Pas Brexit-it dhe triumfit të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, rezultati i referendumit mbi ndryshimet kushtetuese në Itali nuk qe dhe aq befasues.

Elitat qeverisëse të Europës u gjendën përsëri përballë perspektivës së një tërmeti politik dhe financiar kur si për ironi, pak përpara se të mësohej cili ishte vullneti i italianëve, lideret në kontinentin e vjetër morën frymë lirisht nga vota anti-populiste e Austrisë.

Ajo që nuk u arrit të parashikohej ishte shkalla e disfatës se Matteo Renzit, e cila per editorialistin britanik Dominic Sandbrook tregon se ashtu si në rastin e Brexit-it, establishmenti politik nuk qe i aftë të kuptonte se miliona njerëzve të lodhur nga status quo-ja, po iu soset durimi.

“Humbja e Renzit është sipas tij një grusht i fortë për të gjithë klasën politike dhe atë financiare të Europës dhe nuk janë të pakta gjasat që edhe Franca të ndjekë shembullin e saj. Nëse Marine Le Pen fiton zgjedhjet e merr çelësat e Elizesë, atëherë thotë opionisti, dyshoj seriozisht që Bashkimi Europian do të arrijë ta shohë fundin e vitit 2017, të paktën në formën e tij aktuale. E kanë ditur prej vitesh se Euro qe një gabim, se masat e rrepta anti-krizë po shkatërronin të ardhmen e një brezi të tërë, se emigracioni masiv ishte tmerrësisht jopullor. E dinin sesa i zemëron njerëzit kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Edhe tani, kur nuk është ende shumë vonë për të bërë kthesë, vazhdojnë të ndjekin të njëjtën linjë e të ankohen për themelet e nxira të projektit Europian”, vazhdon Sandbrook, “dhe nuk kuptojnë se faji, në fakt, nuk është i votuesve”.

Top Channel