Trump kontradiktor, kritika për Kinën; emëron sekretar personin që e sulmoi në fushatë

05/12/2016 00:00

Ekipi i tranzicionit të Donald Trump vijon të formohet, ku emërimi më i ri është ai i Ben Carson si sekretar i Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Vetë miliarderi u shpreh i kënaqur që në ekipin e tij do të ketë një mendje të shkëlqyer dhe të predispozuar për të ndihmuar komunitetet në nevojë.

Por atë që sot e në vazhdim Trump do e ketë aleat, deri dje ka qenë një rival politik. Kandidatura presidenciale në radhët e republikanëve nuk zgjati shumë për Ben Carson, i cili me profesion është mjek neurokirurg.

Gjatë raundit primar të zgjedhjeve, Trump e ka cilësuar Carson si person pa eksperiencë politike, me pak energji dhe pa temperamentin e duhur për të marrë në duar një post publik. Por Donald Trump vijon të jetë i paparashikueshëm.

Më herët ditën e hënë, me një sërë postimesh në “Twitter”, miliarderi sulmoi politikat monetare të Pekinit dhe veprimet në Detin e Kinës Jugore. “A na ka pyetur Kina nëse zhvlerësimi i monedhës së saj do të ishte në rregull dhe a na pyeti kur ndërtoi një kompleks masiv ushtarak?  Besoj se jo”, shkroi Trump.

Retorika e tij e ashpër kërcënon marrëdhëniet me Kinën, e aq më tepër kur vjen në një kohë pasi Trump theu edhe një nga politikat amerikane të vendosura që nga viti 1979 , duke zhvilluar kështu një bisedë telefonike me presidenten e Tajvanit, 4 dekada pasi marrëdhëniet diplomatike mes vendeve ishin ndërprerë. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur një kurs më të zbutur marrëdhëniesh me Pekinin, i cili e konsideron Tajvanin si një provincë separatiste.

Top Channel