Dueli i familjes Xhaka, Taulant-Granit, luhet raundi 3

05/12/2016 00:00

Për herë të tretë brenda një viti, familja Xhaka do të shohë se si dy djemtë e familjes do të jenë kundërshtarë në fushën e futbollit. Të emigruar në Zvicër nga Kosova dhe të ndarë për tifozllëkun për mesfushorët që përfaqësojnë ekipe dhe kombëtare të ndryshme, tashmë anëtarët e Xhakave do të kenë fokusin në një stadium të vetëm mbrëmjen e së martës.

Në Sejnt Xhejkob Park, Taulanti do të jetë sërish përballë Granitit, ashtu siç ndodhi në Euro 2016 dhe ashtu siç u përsërit në “Emirates” në sfidën e parë mes dy ekipeve në Champions League. I pari që luan Me Basel do të jetë me të gjitha gjasat në formacion, si një nga lojtarët kryesorë që mund të krijojnë rezistencën ndaj ofensivës së “topçinjve”.

Ndërkohë, mesfushori kosovar që firmosi këtë verë në ishull, mund ta nisë nga pankina pasi sipas mediave angleze, nuk kuotohet për një vend në skemat e trajnerit Arsene Wenger. Graniti që e ka nisur karrierën pikërisht me fanelën e Basel, ka përballë një rikthim emocionues në klubin që i ka dhënë kombëtaren zvicerane. Arsenali luan të martën ndaj Basel me shpresën për të fituar që të marrë vendin e parë në grup në duelin direkt me PSG.

Ndërkohë, formacioni helvetik ka shanse të marrë vendin e tretë në dëm të Ludogorets dhe si rrjedhojë të hyjë në fazën tjetër të Europa League, jo objektivi maksimal por sidoqoftë më mirë se dalja totalisht jashtë kompeticioneve.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel