Superiorja, me dy përballje luksi: Partizani-Kukësi, Flamurtari-Tirana

05/12/2016 00:00

Java e 14 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me dy përballjet e forta të mbrëmjes së të martës, Partizani-Kukësi dhe Flamurtari-Tirana.

Derbi i stërgjatur në dy ditë ka detyruar dy skuadrat kryeqytetase të shtyjnë ndeshjet për të martën, për të pasur një frymëmarrje në këtë fazë të ngjeshur të Superiores.

Partizani-Kukësi është përballja më e rëndësishme, nisur edhe nga pozicioni i dy skuadrave dhe rivaliteti i drejtpërdrejtë që kanë për kreun e kampionatit. Por, nëse Partizani vazhdon të mos nxjerrë trajnerin në konferenca për shtyp përpara ndeshjeve të rëndësishme, trajneri Gjoka i Kukësit shprehet hapur për këtë ndeshje.

“Ndeshja është shumë e vështirë. Sigurisht kemi përballë një rival për titull, por mendoj se Kukësi ka bërë mirë deri më tani. Mendoj se ky është realiteti i skuadrës dhe vazhdoj ta them se, nëse ne duam të shkojmë deri në fund të garës me synimin për objektivin madhor, duhet të jemi të pathyeshëm. Ndeshja ndeshjes nuk i ngjan, por ne jemi përgatitur seriozisht dhe me shumë përgjegjësi për të marrë më të mirën e mundshme edhe nga ky takim i vështirë”, tha Ernest Gjoka.

Edhe Tirana duket e përgatitur për trasfertën e radhës ndaj Flamurtarit, që pavarësisht pozicionit, me zgjidhjen e problemeve të pagave duket se ka një tjetër marsh. Për këtë arsye, bardheblutë kanë kërkuar përqëndrim maksimal, për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo ndeshje.

“Skuadra duhet të shkojë në Vlorë për të marrë 3 pikët, por duhet të kemi parasysh se përpara kemi një skuadër, që në momente të ndryshme ka bërë disa lëshime, sa i përket mënyrën sesi ka luajtur”, tha Mirel Josa, trajner i Tiranës.

Të dyja ndeshjet do të luhen në orën 18:00. Partizani do të luajë sërish në “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, pasi nuk ka rënë dakord për të zhvilluar ndeshjet në stadiumin e Tiranës, “Selman Stërmasi”. Gjithashtu, klubi “i kuq” ka paguar edhe gjobën e pezullimit të tifozëve, për t’i lejuar ata të jenë të pranishëm në këtë ndeshje të rëndësishme.

Ndërkohë që ndeshja tjetër mes Flamurtarit dhe Tiranës do të luhet në stadiumin “Flamurtari”.

Top Channel