Hagë, përgatitjet e fundit të prokurorëve në gjyqin ndaj Ratko Mladiç

05/12/2016 00:00

Gjyqi për krime lufte ndaj ish-komandantit serbo-boshnjak, Ratko Mladiç, ka hyrë në fazën përfundimtare, me prokurorët që kanë nisur hartimin e argumenteve të tyre të fundit në Hagë.

74-vjeçari i mbiquajtur edhe “kasapi i Bosnjes” përballet me dy akuza për gjenocid dhe 9 akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Në seancën dëgjimore publike të tribunalin të Hagës ishin të pranishme edhe gratë dhe nënat e burrave e djemve myslimanë boshnjakë, të cilët janë masakruar në Srebrenicë. Ky është edhe gjyqi i fundit i konsideruar i madh për nga rëndësia, që zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Verdikti i gjykatësve, gjithsesi, pritet në vitin 2017, pasi argumentet e prokurorëve pritet të marrin më shumë se një javë kohë.

Mladiç është i dyshuari kryesor i masakrës ndaj më shumë se 8.000 burrave e djemve në enklavën myslimane të Srebrenicës. Ngjarja u shënua përgjatë disa ditëve në verën e vitit 1995, si plan i një plani të pretenduar për asimilimin e boshnjakëve dhe krijimin e një shteti etninikisht serb.

Sot Mladiç është i dobët fizikisht, megjithatë ai ndoqi me vëmendje videoklipin e transmetuar në gjykatë nga prokurorët. Në të, ai shfaqet si komandant me veshje ushtarake, i cili paralajmëron përfaqësuesit boshnjakë me shprehjen: Ju ose do të mbijetoni, ose do të zhdukeni.

Ai akuzohet gjithashtu edhe për pushtimin 44-mujor të Sarajevës nga serbët, gjatë të cilit mbi 10 mijë persona u vranë. Mladiç u arrestua në Serbi në maj të vitit 2011, ndërsa gjyqi ndaj tij nisi vetëm pak kohë më pas, në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për çështjet e ish-Jugosllavisë.

Ai tentoi t’i shmangej procesit gjyqësor për 16 vite. Ndërkohë, ish-udhëheqësi politik boshnjako-serb i luftës së viteve ’90, Radovan Karadziç u dënua me 40 vite burgim në muajin mars.

Top Channel