Japoni, kryeministri Abe do të vizitojë “Pearl Harbor”

05/12/2016 00:00

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe do të vizitojë “Pearl Harbor”-in më vonë gjatë këtij muaji, duke u kthyer kështu në të parin udhëheqës japonez që shkel në vendin e sulmit të përpara 7 dekadave e gjysmë, qe ishte edhe arsyeja e përfshirjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore.

Vizita e tij pason ndalesën e Obamës në Hiroshimë në muajin maj. Presidenti i Shteteve të Bashkuara u bë atëherë udhëheqësi i parë amerikan që vinte këmbë në zonën e lëshimit të bombës bërthamore në vitin 1945, e cila së bashku me atë të Nagasakit e shtynë Japoninë drejt kapitullimit.

Abe sqaroi se do të udhëtojë drejt Hauait në datat 26-27 dhjetor, për t’iu bërë nderimet e tij pjesëtarëve të personelit ushtarak në të dy krahët e Paqësorit, që humbën jetën gjatë konfliktit të madh.

“Kjo vizitë, – u tha ai reporterëve në Tokio, – është një ngushëllim për shpirtrat e viktimave. Në këtë mënyrë ne do të përpiqemi të përcjellim një mesazh mbi rëndësinë e pajtimit mes të dy vendeve”.

Përvjetori i 75-të i sulmit mbi “Pearl Harbor” është të mërkurën, më 7 dhjetor. Shtëpia e Bardhë e mirëpriti vendimin e Abes, e pohoi se presidenti Obama do ta shoqërojë atë në memorialin “USS Arizona Memorial” për të nderuar kujtimin e njerëzve të vrarë atje.

Top Channel