Në Kanada ka masa të rrepta për këdo që e nget makinën në gjendje të dehur. Ato mjaftojnë që personi të mendohet dy herë, përpara se të afrojë gotën e alkoolit, kur e di që më pas do të jetë në timon.

Por në qytetin kanadez të Kensingtonit, kush mendon se mund t’i shkelë rregullat këtë sezon festash, duhet të mendohet përsëri. Policia atje ka dalë me një plan të pazakontë: shkelësit, jo vetëm do të penalizohen, por gjatë rrugës për në komisariat do të detyrohen të dëgjojnë edhe muzikën e “Nickelback”.

Pavarësisht një sërë çmimeve të fituara, grupi kanadez është kthyer së fundi në subjekt talljesh e urrejtjeje në internet, e kjo nuk i ka shpëtuar shërbimit policor të Kensingtonit. Një prej komenteve të para që policia mori pas postimit të këtij njoftimi në “Facebook”, ishte:

“Më falni, por a nuk bie ndesh tortura me Konventën e Gjenevës për të drejtat e njeriut?”.

“Kur t’iu kapim, – thuhet në mesazhin e policisë, – dhe ta dini që do t’iu kapim, përpos gjobës së majme, akuzave penale e pezullimit të patentës për kushedi sa kohë, do t’iu japim edhe një bonus festash, muzikën e Nickelback, e cila do t’iu shoqërojë përgjatë të gjithë rrugës deri në burg”.

Zyrtarët i shpjeguan CNN-it se, departamenti i tyre nuk ka asgjë me vet grupin. “Thjesht deshëm të përdornim një mënyrë ndryshe për të përcjellë një mesazh kaq të vjetër tashmë.

Megjithatë, humori i hollë i policisë nuk është vlerësuar nga pjesëtarët e “Nickelback”. Ata kërkuan heqjen e postimit, i cili është përhapur me shpejtësi në “Facebook”.

Top Channel