SHBA, ushtria anulon ndërtimin e naftësjellësit në Dakotën e Veriut

05/12/2016 00:00

Ushtria amerikane vendosi që të mos lejojë kalimin e një naftësjellësi nën një rezervuar, në tokën që ajo kontrollon në Dakotën e Veriut, një lëvizje e përgëzuar nga protestuesit.

Fisi autokton “Sioux” në zonën Standing Rock tha se ky ishte një vendim historik, teksa shprehu mirënjohjen për presidentin Barack Obama.

Anëtarët e fisit “Sioux”, të mbështetur edhe nga shumë qytetarë të tjerë amerikanë, protestojnë që prej prillit kundër ndërtimit të naftësjellësit që kalon pranë rezervatit të tyre. Në protesta nuk kanë munguar as përballjet me forcat e rendit.

Në një komunikatë të fisit “Sioux” shkruhet se, inxhinierët e ushtrisë vendosën se nuk do të lejojnë që naftësjellësi të kalojë në liqenin Oahe. Duke marrë parasysh ndikimin në ambient, ushtria do të konsiderojë rrugë alternative për të.

Sipas projektit fillestar, një pjesë e naftësjellësit prej 1.900 km dhe miliarda dollarësh do të kalonte pranë rezervatit të fisit “Sioux”. Këta të fundit, bashkë me fise të tjera amerikanësh autoktonë e kundërshtuan planin, sepse druhen se do të ndosë ujin dhe do të dëmtojë varrezat e tyre të shenjta.

Javën e shkuar, atyre iu bashkuan qindra veteranë të ushtrisë në protesta. Tashmë duket se ushtria i dha fund mosmarrëveshjeve me ndërhyrjen e saj, megjithëse vendimi i Forcave të Armatosura është cilësuar një gabim serioz nga guvernatori i Dakotës së Veriut, Jack Dalrymple. Sipas zyrtarëve lokalë, ushtria dha një sinjal negativ për infrastrukturën amerikane.

Top Channel