Presidenti i zgjedhur Trump kritikon Kinën me postime në “Twitter”

05/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump postoi një seri mesazhesh kritike në “Tëitter” ndaj Kinës, për politikat e saj monetare dhe operacionet në detin e Kinës Jugore.

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar edhe më herët Kinën për zhvlerësimin e qëllimshëm të juanit, që favorizon eksportet kineze. Javën e shkuar, Trump krijoi një përballje diplomatike me Kinën, duke folur në telefon me presidentin e Tajvanit, ndërsa mesazhet në “Twitter” duket se thjesht sa e kanë acaruar situatën.

“Kina nuk pyeti askënd nëse është e ndershme të zhvlerësojë monedhën e saj, apo të ndërtojë një kompleks të madh ushtarak”, shkroi Trump në “Twitter”.

Megjithëse fjalët e tij shkojnë përkrah qëndrimit të mëhershëm amerikan në këto dy çështje, analistët thonë se ato përvijojnë gjithashtu politikat e ardhshme të miliarderit në këtë kuadër.

SHBA-të i kanë kërkuar Kinës që të mos shtojë artificialisht tokën në ishujt që pretendohen nga shumë vende në detin e Kinës Jugore dhe ka dërguar atje anije luftarake amerikane.

Megjithëse Kina pretendon se operacionet e saj kanë qëllime civile, bazat ushtarake të ndërtuara në këto ishuj dërgojnë një tjetër mesazh.

Top Channel