SHBA, të shtëna në restorantin e përfshirë nga vorbulla e fushatës elektorale

05/12/2016 00:00

Një person u arrestua pasi hapi zjarr brenda një restoranti në Uashington, i cili ishte në qendër të një lajmi të rremë të publikuar gjatë fushatës zgjedhore në SHBA.

Askush nuk u lëndua në këtë incident, ndërsa 28-vjeçari nga Karolina e Veriut u arrestua. Restoranti “Comet Ping Pong” u bë i famshëm pasi teoricienët e komploteve nisën të besojnë se ishte përfshirë në një trafik minorenësh për qëllime seksuale, që drejtohej nga Hillary Clinton dhe ndihmësi i saj John Podesta.

Personi i arrestuar deklaroi për policinë se kishte shkuar për të hetuar personalisht këtë teori, që njihet si “Pizzagate”, meqë restoranti shërben edhe pica. Sipas policisë, agresori hyri në restorant dhe kërcënoi një punonjës të tij, e më pas hapi zjarr, por pa shënjestruar askënd në veçanti.

Teoria “Pizzagate” u shfaq në internet pas vjedhjes së postës elektronike të Partisë Demokratike dhe postimit të saj në “Wikileaks”. Në mesazhe përmendet pronari i picerisë, James Alefantis, që organizoi një darkë grumbullimi fondesh për demokratët, por sipas komplotistëve, fjalët si djathë, “hot dog” apo pica janë kode për fëmijët dhe aktet seksuale.

Autoritetet amerikane, sigurisht që e kanë hedhur poshtë këtë teori, duke thënë se nuk ka asnjë bazë.

Top Channel